Turizmi, masterplan për pesë zona nga, Rrjolli në Shkodër tek Rana e Hedhun e Spilleja

Pesë zona me përparësi zhvillimin e turizmit do të jenë objekt i studimit dhe hartimit të masterplaneve respektive sipas një axhende të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Duke parë orientimin që u është dhënë këtyre zonave përmes Planit të Përgjithshëm Kombëtar “Shqipëria 2030”, si dhe Planeve të Detajuara për Zonat me Rëndësi Kombëtare do të vlerësohen masat që duhet të merren për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Zonat e përzgjedhura për studim, duke u karakterizuar nga një përqendrim i madh e i shumëllojshëm i burimeve natyrore, kanë filluar të jenë nën trysninë e kërkesës së lartë për përdorim e shfrytëzim të resurseve të tyre. Nëse kjo trysni nuk kontrollohet dhe orientohet në kohë, rrezikon të prodhojë zhvillim jo të qëndrueshëm dhe të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme pasuritë natyrore, ekosistemet shumë specifike të rajonit, si dhe rrezikon degradimin e vazhdueshëm të peizazhit rural e natyror” thuhet në dokumentin e qeverisë.

Por cilat janë në fakt zonat që do të merren në studim dhe ku përparësi ka zhvillimi i turizmit. e para është zona Baks-Rrjollë, ku sipërfaqja e zonës në studim do të jetë 150 hektarë. “Fshati Baks-Rrjoll ndodhet në juglindje të Velipojës. Ky fshat përbën vlera dhe bukuri të panjohura. Shtrihet pranë detit dhe mali i Rencit ngrihet thikë mbi të. Ky fshat është mjaft i njohur për traditat etnografike dhe folklorike. Plazhi i këtij fshati është i virgjër me rërë të pastër e ujë kristal” thuhet në dokument.

Zona e dytë në studim do të jetë ajo e Ranës së Hedhun, me sipërfaqe 65 hektarë. ‘Rana e Hedhun’ i përket pjesës veriperëndimore të Shqipërisë, ndodhet ne Shëngjin, Lezhë. ‘Rana e Hedhun’ shtrihet duke filluar nga ish-reparti ushtarak në Portin e Shëngjinit. Ky plazh ka një vijë të gjatë bregdetare për shfrytëzim nga grykëderdhja e Bunës deri pranë Shëngjinit. Rana e Hedhun është shpallur Monument Natyre.

Zona e tretë në studim do të jetë Plazhi i Tales, me një sipërfaqe 175 hektarë. “Plazhi i Tales në Lezhë është kthyer në atraksionin turistik më të ri të viteve të fundit, duke tërhequr një numër të madh pushuesish. E mundëson këtë hapësira e madhe e këtij plazhi me gjatësi 12 km dhe gjerësi rëre mbi 100 m, e shtrirë mes grykëderdhjeve të dy lumenjve, Drin dhe Mat. Plazhi i Tales, gradualisht po plotëson gjithë kërkesat dhe pritshmëritë e frekuentuesve, numri i të cilëve në fundjavë arrin deri në 40 mijë pushues ditor” nënvizohet në dokument.

Zona e katërt në studim do të jetë Grykë-Derdhja e Ishmit me sipërfaqe 615 hektarë. Lumi Ishëm rrjedh përmes Shqipërisë Qendrore (74 km i gjatë; sipërfaqja e pellgut është 673 km² dhe lartësia mesatare mbi nivelin e detit 357 m. Ai formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës përrenjve Tërkuza dhe Zeza. Delta e tij ndodhet në Kepin e Rodonit. Grykëderdhja e këtij lumi bënë pjesë në Rezervatin Natyror të Menaxhuar/Park Natyror Patok-Fushëkuqe-Ishëm.

E fundit është zona e Spillesë me sipërfaqe që do të merret në studim prej 170 hektarësh. Spilleja është një fshat në komunën Kryevidh në Rrethin e Kavajës. “Dallohet për plazhin dhe pyllin e saj me pisha, ku pas viteve ‘90 ka pasur dëmtime të këtij pylli. Plazhi i Spillesë, kryesisht i paprekur nga zhvillimi ndërtimor, ka ruajtur në mënyrë më të mirë këtë pyll, dendësia e të cilit është kryesisht e madhe” përshkruhet në dokument.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *